Dogana e Kosovës sekuestron rreth 120 kg kanabis në autobus që vinte nga Shqipëria

Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës ndaluan në orët e hershme të mëngjesit një autobus në Autostradën “Ibrahim Rugova”, i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës pa pasagjerë. Mjeti u shoqërua për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, gjatë kontrollit me përdorimin e pajisjeve profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës — përfshirë skanerin e dhuruar së fundmi — si dhe me qentë nuhatës të dhuruar nga organizata gjermane GIZ, u gjet një sasi prej rreth 120 kilogramësh të llojit kanabis.

“Ky zbulim përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme në përpjekjet e Doganës së Kosovës për të mbrojtur shoqërinë dhe për të parandaluar trafikun e substancave të ndaluara. Ai vjen vetëm pak javë pas një rasti tjetër të përmasave të ngjashme, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë,” thuhet në njoftim.

Rasti i është dorëzuar njësive Antidrogë të Policisë së Kosovës për procedura dhe veprime të mëtejshme penale.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke rritur bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit. Po ashtu, shpreh mirënjohjen e saj të thellë për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme ndër vite, përmes donacioneve, trajnimeve dhe asistencës teknike,” përfundon njoftimi.

Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *