Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij gjatë Samitit të Planit të Rritjes së BE-së në Tiranë tha se është hera e fundit që do të adresojë masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian dhe se “Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht”.
Kurti vuri në dukje se, sipas tij, asnjë vend në rajon nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Ai e konsideroi paradoksale kërkimin e urgjencës për zgjerim të BE-së, ndërkohë që aplikimi i Kosovës mbeti i papërfillur për tre vjet.
Kryeministri përmendi arritjet e vendit: përmbushjen e Agjendës së Reformave, renditjen e Kosovës në indeksin e World Justice Project si e treta nga 15 shtete të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore për përmirësimin e sundimit të ligjit, dhe pozicionin si vendi me kriminalitetin më të ulët në rajon. Ai tha se Kosova ka shënuar rritje të fortë ekonomike dhe se Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e shteteve fragjile dhe të ndikuara nga konfliktet.
Për vonesën në zbatimin e reformave, Kurti tha se shkak ishin rrethanat, veçanërisht vonesat në formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të shkurtit. Ai njoftoi se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të treta brenda një viti dhe shprehu bindjen se një qeveri e re do të ecë shpejt në zbatimin e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes.
Kryeministri foli edhe për sektorët strategjikë dhe investimet: për transformimin ekonomik të Inteligjencës Artificiale, mbulimin e lartë me rrjet me brez të gjerë, çmimin e ulët të energjisë elektrike dhe gatishmërinë digjitale të vendit. Ai tha se për mandatin e ardhshëm planifikohen të paktën një miliard euro në vit për investime kapitale në projekte strategjike.
Për infrastrukturën, Kurti theksoi rëndësinë e përditësimit të Rrjetit Trans-Evropian dhe përmendi hekurudhën Prishtinë–Durrës si lidhje midis korridoreve 8 dhe 10 të rrjetit TEN-T.
Mbi zbatimin e elementeve konkrete të Planit të Rritjes, ai përmendi: përfshirjen e dy pikave kufitare të ngarkuara (Hani i Elezit–Bllacë dhe Vërmicë/Morinë) në iniciativat për Korsitë e Gjelbra; dorëzimin e ligjeve teknike për anëtarësim në SEPA, të cilat aktualisht janë nën shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese; përzgjedhjen e 33 prej 38 komunave për iniciativën WiFi4EU me instalimet që pritet të fillojnë në dhjetor dhe të përfundojnë deri në shkurt; dhe nisjen e pilotimit të portofolit elektronik të Kosovës për identifikim dhe shërbime digjitale.
Ai gjithashtu foli për Marrëveshjen për Pranimin e Vlerësimit të Konformitetit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për sfidat për anëtarësim të Kosovës në agjenci e mekanizma të caktuar, duke përmendur aplikimin për Konventën e Transitit të Përbashkët që nga viti 2015 dhe pritjen pa vendim.
Në lidhje me Shtyllën e Dytë, Kurti tha se pesë marrëveshjet për lëvizshmëri të nënshkruara mbeten të pazbatuara dhe se çështjet u bllokuan, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për Institucionet e Arsimit të Lartë. Ai tha se i ka dhënë detyrë SHERPA-s të ndjekë zgjidhjet dhe inkurajoi Komisionin të bashkëpunojë me ta.
Kosova kryesoi për herë të parë drejtpërdrejt CEFTA-n, zgjodhi një drejtor pas një bllokimi dyvjeçar dhe miratoi vendime për thellimin e tregtisë. Kurti tha se pritet që vendime të rëndësishme të miratohen në dhjetor në Prishtinë gjatë Javës së CEFTA-s.
Ai përmbylli duke uruar Shqipërinë për avancimin drejt BE-së dhe shprehu dëshirën që samiti i ardhshëm të mbahet në Prishtinë.
/Telegrafi/