Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, zhvilloi mbledhjen e parë me Kryesinë e partisë pas zgjedhjes së tij në këtë post. Në konferencën për media pas mbledhjes, ku u diskutuan zhvillimet e fundit politike, Hamza deklaroi se PDK është e përgatitur për zgjedhjet më 28 dhjetor dhe synon fitoren.
Ai theksoi se partia është e bashkuar, e organizuar dhe ka një vizion të qartë për të rikthyer normalitetin, stabilitetin dhe funksionimin e institucioneve. “Më 28 dhjetor, PDK është gati për fitore. Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe një qeveri që punon, që bashkëpunon me akterë të brendshëm dhe partnerë të jashtëm, si dhe që jep rezultate. Jo për improvizim, ndarje dhe ikje nga përgjegjësia. Jemi të bindur dhe besojmë thellë se bashkë me qytetarët, ne do ta hapim një kapitull të ri për vendin”, deklaroi Hamza.
Sipas tij, Kryesia e PDK-së ka marrë vendime kyçe organizative për mobilizim në çdo komunë, në çdo lagje dhe me çdo strukturë. Hamza njoftoi gjithashtu se partia ka një platformë qeverisëse të qartë për ekonomi të zhvilluar, stabilitet politik, dialog të përgjegjshëm, sundim të ligjit, investime kapitale dhe integrim euroatlantik. “E kemi nisur formimin e ekipit, shtabit zgjedhor dhe përgatitjet për një listë dinjitoze e përfaqësuese të kandidatëve për deputetë. PDK do ta zhvillojë një fushatë të qetë, programore dhe të fokusuar te nevojat e qytetarëve. Ashtu si në fushatat e kaluara, ne do ta shmangim gjuhën e përçarjes dhe do të fokusohemi te rezultatet dhe vizioni ynë për vendin”, tha ai.
Hamza u shpreh se dera e PDK-së është e hapur për të gjithë që duan t’i bashkohen këtij vizioni. “Si PDK tashmë i kemi nisur diskutimet me të gjitha degët, strukturat dhe aktivistët tanë, si dhe me çdo qytetar që ka vullnet të angazhohet e të na bashkohet për të mirën e Kosovës. Dera jonë është e hapur për të gjithë. Prandaj, ajo që mund t’ju them sot është se PDK-ja po forcohet dhe po rritet”, njoftoi kreu i partisë.
Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e mërgatës në procesin zgjedhor: “Pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë në zgjedhje është vlerë për demokracinë tonë. PDK është parti e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se ku jetojnë ata”.
Në konferencë Hamza foli edhe për çështjen mes PDK-së dhe Ramiz Lladrovcit lidhur me zgjedhjet lokale. Ai tha se nuk ka vendim brenda PDK-së që e përjashton Lladrovcin dhe se beson se do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të maksimalizuar votën për partinë. “Tek çështja e Drenasit, Ramiz Lladrovcin kërkush s’e ka përjashtu prej PDK-së. S’ka vendim brenda PDK-së që thotë se Ramiz Lladrovcin s’është në PDK. Prandaj jam i bindur që ne bashkë do të vazhdojmë edhe të garojmë edhe ta maksimalizojmë votën për PDK-në”, deklaroi Hamza.