Wayne Rooney ka zbuluar se kontrata më e madhe e karrierës së tij te Manchester United i sillte rreth 17 milionë stërlina në sezon, një shumë që e vendonte shumë përpara pagave të disa ish-shokëve të skuadrës.
Rooney shpërtheu te Everton në moshën 16-vjeçare dhe brenda dy vitesh u bë emër i njohur pas paraqitjes në Euro 2004. Më pas u transferua te Manchester United për 27 milionë funte, duke u bërë adoleshenti më i shtrenjtë në atë kohë.
Rritja e të ardhurave në Ligën Premier dhe zgjerimi i kampionatit i dhanë mundësinë të fitonte paga shumë më të larta se shumica e bashkëlojtarëve të mëdhenj të mëparshëm. Zbulimi për pagën rreth 17 milionë funte në vit – afro 325 mijë funte në javë – shkaktoi habi tek Gary Neville dhe Roy Keane gjatë episodit të fundit të podcastit “Stick to Football”.
Diskutimi nisi pasi Neville tha se do të ndante disa nga kontratat e tij të vjetra. Ai përmendi një marrëveshje të vitit 2001, me vlerë 1.5 milionë funte në sezon, rreth 30 mijë funte në javë. Keane tha se kontrata e tij e vitit 1999 arrinte 50 mijë funte në javë, kurse marrëveshja e tij më e mirë disa vite më vonë ishte rreth 5 milionë funte në sezon.
Jamie Carragher tha se kontrata e tij më e mirë te Liverpool sillte 3 milionë funte në vit, ndërsa Ian Wright fitonte 1.25 milionë funte në sezon te West Ham, më shumë se ç’kishte marrë ndonjëherë te Arsenal.
Rooney sqaroi se shifra prej 17 milionë funte në vit nuk ishte kontrata që ai nënshkroi menjëherë pas polemikave të vitit 2010, por një kontratë pesëvjeçare që ai firmosi në shkurt 2014, në moshën 28-vjeçare, kur karriera e tij po hynte në rënie. “Gjërat po ndryshonin atë periudhë”, tha Rooney.
Carragher u habit edhe nga paga relativisht e ulët e Neville, duke pasur parasysh statusin e tij te United. Neville u shpreh se paraja nuk ishte prioriteti i tij; ai vlerësonte sigurinë dhe besnikërinë ndaj klubit. “E vetmja gjë që kam menduar ishte të mbyllja karrierën te Manchester United. Një kontratë e gjatë me pagë më të ulët ishte më e mira për mua sesa një kontratë më e shkurtër me më shumë para”, tha Neville.
Ai kujtoi se menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së tij më të madhe në vitin 2007 — me vlerë 1.75 milionë funte në sezon plus një bonus prej 500 mijë funtesh — u dëmtua në 2008 dhe mungoi për një vit, por kontrata afatgjatë i dha siguri dhe e mbajti në klub deri në fund të karrierës.
Burimi: Telegrafi