Sot në Koçan u hap qendra rajonale për shëndet mendor dhe mbështetje psiko-sociale e Kryqit të Kuq, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministri Azir Aliu vizitoi qendrën dhe deklaroi se qëllimi është ofrimi i ndihmës profesionale psikologjike, këshillimit dhe mbështetjes për personat e lënduar nga zjarri, familjet e tyre dhe gjithë komunitetin. Qendra do të jetë një vend për kujdes të besueshëm dhe të sigurt, me theks te përballimi i traumës, humbjes dhe pasojave emocionale.
Në fazën e parë, në kuadër të qendrës do të punojnë nëntë psikologë të cilët do të ofrojnë seanca individuale dhe grupore, psikoedukim dhe mbështetje për vullnetarët dhe të punësuarit. Autoritetet e përshkruan qendrën si shembull se si duhet të duken objektet e tilla në mbarë vendin.
Aliu njoftoi se për tre vitet e ardhshme qendra do të ketë në dispozicion një buxhet prej 150,000 eurosh, të siguruara nga Kryqi i Kuq i Austrisë dhe i Serbisë, si dhe nga partnerë e donatorë të tjerë. Mjetet do të përdoren për pajisje moderne, programe edukative dhe mbështetje të vazhdueshme për stafin profesional, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
“Kjo iniciativë tregon vazhdimësinë e kujdesit për personat e lënduar nga tragjedia në Koçan, duke pasur parasysh se që nga fillimi shpenzimet për trajtimin dhe rehabilitimin e të lënduarve janë mbuluar nga shteti. Pas përfundimit të trajtimit spitalor u sigurua edhe rehabilitimi i personave të lënduar në objektin e Ponikvës. Aty, përveç rehabilitimit dhe pranisë 24-orëshe të fizioterapistëve, u mundësua edhe mbështetje psikologjike e vazhdueshme, e cila tani vazhdon në këtë qendër në Koçan. Përkushtimi ynë është që të gjithë pacientët të marrin kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen psiko-sociale të nevojshme,” tha Aliu.