Mërgim Vojvoda: Kosova në play-off, fokus te gjysmëfinalja në Sllovaki

Mërgim Vojvoda është ‘senator’ i Kombëtares së Kosovës dhe futbollisti me më shumë paraqitje me fanellën dardane. 30-vjeçari ka zhvilluar 71 ndeshje me përfaqësuesen dhe në kampanjën kualifikuese ishte një nga lojtarët më të rregullt, duke luajtur gjashtë ndeshje si titullar — pesë prej tyre nga 90 minuta dhe një 76-minutëshe. Ai e mbylli grumbullimin kualifikues me 526 minuta në fushë dhe një asistim ndaj Sllovenisë për golin e Fisnik Asllanit.

Kosova arriti të kualifikohet për në play-off për Kampionatin Botëror. Vojvoda vlerëson këtë kampanjë si shumë pozitive, si në aspektin ofensiv ashtu edhe në atë defensiv, dhe thekson stabilitetin dhe rritjen e ekipit gjatë gjithë rrugëtimit. ‘Ka qenë një kampanjë shumë pozitive në çdo aspekt’, tha ai për Telegrafin.

Përballë grupit me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë, Vojvoda pranon se sfida ishte e vështirë, por thekson besimin e ekipit dhe punën e bërë: ‘Me të vërtetë ka qenë shumë grup i vështirë… Besoj se forca jonë e bëri vetëbesimin te lojtarët dhe te puna e madhe që kemi bërë dhe në fund ia dolëm.’

Sipas tij, një nga arsyet e suksesit është rritja e konkurrencës brenda skuadrës dhe kombinimi mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë. ‘Kjo e ka bërë këtë Kombëtare më të pjekur dhe më të freskët’, shpjegon Vojvoda, duke përmendur emra si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi dhe Milot Rashica si pjesë të përvojës së ekipit.

Në play-off Kosova do të luajë së pari në Sllovaki në gjysmëfinale; në rast fitorje, finalja do të zhvillohet në Prishtinë kundër fituesit të duelit Turqi–Rumani. Vojvoda mbetet realist për rëndësinë e ndeshjes së parë jashtë fushe: ‘Gjysmëfinalja do të jetë shumë e vështirë pasi e dimë se do të luajmë në Sllovaki dhe Sllovakia është një Kombëtare e fortë, sidomos kur të luan në shtëpi. Gjithsesi besoj se çdo skuadër që ka arritur në play-off ka kapacitet për të shkuar në Botëror.’

Ai përmend momentin kur skuadra filloi të besojë në arritjen e play-offit: barazimi me Slloveninë dhe paraqitjet ndaj Suedisë dhanë kurajo dhe bindje për të vazhduar. Vojvoda falenderon gjithashtu tifozët, të cilët sipas tij kanë qenë një nga forcat kryesore të ekipit: ‘Dua t’i falënderoj me gjithë zemër dhe besoj se do të na mbështesin edhe në Sllovaki dhe, ishalla, edhe në Prishtinë në finalen e mundshme.’

Në nivel klubi, Vojvoda është titullar i padiskutueshëm te Como. Ai ka zhvilluar nëntë ndeshje në Serie A, ku ka shënuar një gol, dhe dy ndeshje në Kupën e Italisë, me një asistim. Objektivi i tij me Comon është përparimi dhe kualifikimi në gara evropiane: ‘Objektivat janë me Comon që të shkojmë sa më lartë, të kualifikohemi në Evropë dhe të bëjmë gjëra të mira.’

Vojvoda vlerëson punën e trajnerit Cesc Fàbregas, të cilin e përshkruan si ‘maestro’ dhe si një trajner të ri që di të komunikojë me lojtarët dhe t’i ndihmojë të përparojnë: ‘Me të mund të përparojmë në çdo aspekt. Ai është spanjoll dhe mua më konvenon shumë.’

Pas 11 ndeshjeve në Serie A, Como zë vendin e shtatë në renditje me 18 pikë, gjashtë më pak se lideri Inter, dhe është skuadra e dytë me mbrojtjen më të fortë pas Romës. Ndeshja e radhës për Como është kundër Torinos në udhëtim.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *