Institucioni Ndëshkues–Përmirësues i Idrizovës, burgu më i madh në Maqedoninë e Veriut, u pajis me një kënd të veçantë për fëmijë, të dedikuar për vizitorët e vegjël dhe familjet e personave të dënuar. Këndi, i vendosur në hapësirën e vizitave si një mjedis i sigurt dhe i ngrohtë për takimet familjare, u hap sot nga përfaqësues të institucioneve kompetente, Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, theksoi rëndësinë e këtij këndi në procesin e risocializimit, veçanërisht duke pasur parasysh se Idrizova është burgu i vetëm ku dënimet i vuajnë edhe të burgosura. “Përfitimet reale të këtij donacioni janë shumë më të mëdha se vlera financiare”, deklaroi Pandov, duke falënderuar Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, përmendi raportin e fundit të Komisionit Evropian për vendin, ku theksohet nevoja për përmirësimin e kushteve në burgje, dhe veçoi nevojën për përmirësime në Burgun Idrizovë, sipas Zyrës së Këshillit të Evropës.
“Kjo nismë pasqyron përpjekjet e autoriteteve për të zbatuar rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga viti 2018, në lidhje me nevojat e fëmijëve, prindërit e të cilëve po vuajnë dënime me burg”, tha Boshkovski.
Nisma zbatohet në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, përmes projektit “Forcimi i Kapaciteteve të Sistemit Penitenciar në Maqedoninë e Veriut”. Ajo realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe INP Idrizovë, të cilët kontribuuan duke lyer muret dhe përshtatur hapësirat.