Organizatat: Vota e diasporës e rëndësishme, por jo përcaktuese; VV propozon 28 dhjetorin

Organizatat që monitorojnë fushatat dhe proceset zgjedhore vlerësojnë se ndikimi i diasporës në rezultatet e zgjedhjeve ka qenë i rëndësishëm, por jo përcaktues për ndonjë parti. Në anën tjetër, banorët e Kosovës shprehin pakënaqësi që brenda tetë muajve po shkohet dy herë në zgjedhje nacionale.

Nuk dihen shifrat e sakta për numrin e qytetarëve që do të vijnë në Kosovë gjatë fundvitit, por që në muajin e fundit u përmend se partitë po synojnë të vendosin datën e zgjedhjeve sa më afër fundit të vitit. Kjo u konfirmua dje, kur Vetëvendosje propozoi 28 dhjetorin si datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas organizatave, kjo lëvizje bazohet pjesërisht në përpjekjen për të shfrytëzuar prezencën fizike të diasporës për votë. Në zgjedhjet nacionale, numri i votave nga diaspora shpesh i afrohet 70–80 mijë votave.

Televizioni kërkoi nga Policia e Kosovës të dhëna për numrin e qytetarëve që hyjnë në territor gjatë javës së fundit të dhjetorit, por institucionit nuk i është përgjigjur kërkesa.

Monitoruesit thonë se çështja e votimit të diasporës nuk duhet të përdoret si temë për llogari politike. “Çështja e diasporës është krijuar prej partive politike dhe është përdorur jashtëzakonisht shumë për populizëm. Partitë po garojnë se cila datë të vendoset për zgjedhjet dhe po kalulojnë se sa mund të vijnë dhe sa do të jenë prezente matjet e diasporës në ato ditë”, tha Burbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL.

Zgjedhjet e parakohshme nacionale u shpallën pasi partitë politike për shtatë muaj nuk arritën marrëveshje për koalicion dhe pushtet.

Banorët që intervistoheshin shprehën se këto zgjedhje mund të ishin shmangur dhe se konfliktet politike po dëmtojnë qytetarët. “Absolutisht mund të evitoheshin këto gjëra, por inati i shqiptarëve është shumë i keq dhe po vuan populli”, tha Azem Azemi.

Nezir Haxholli shtoi: “Për qytetarët, shpresoj që Zoti t’u japë shëndet dhe të mirat; nga politika nuk mund të them tjetër.” Rexhep Delolli vuri në dukje mungesën e kulturës politike dhe dominimin e interesave personale: “Po shihet që nuk ka kulturë politike, dominuese është egoja personale, dhe populli po vihet në vështirësi për interesa të ngushta.”

Qytetarët e intervistuar nuk janë entuziastë që brenda më shumë se një viti vendi po shkon tre herë në zgjedhje — një herë për kryetar komunash dhe dy herë në nivel nacional.

Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ishte 8.7 milionë euro, prej të cilave u harxhuan gati 8 milionë euro. Edhe për këto zgjedhje pritet që shifra të jetë përafërsisht e njëjtë. (Burimi: TV Dukagjini)

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *