Sulmuesi brazilian Endrick është shumë pranë largimit nga Real Madrid, me Lyonin si destinacion të mundshëm në pjesën e dytë të sezonit, sipas gazetarit Matteo Moretto.
Moretto raporton se marrëveshja është në fazën përfundimtare: akordi midis Endrick dhe Lyonit është mbyllur 100%, ndërsa marrëveshja mes Real Madridit dhe Lyonit thuhet se është 99.9% e finalizuar, duke mbetur vetëm detajet e fundit dhe nënshkrimet.
Lyon pritet ta marrë lojtarin në afatin e janarit, duke i ofruar rol më të madh dhe minuta të garantuara, diçka që aktualisht Real Madridi nuk mund t’i sigurojë.
Sezoni i Endrickut ka qenë i dobët nga ana e minutave: ai ka marrë pjesë vetëm në 1 nga 15 ndeshjet e Real Madridit këtë sezon. Kjo situatë ka ngadalësuar zhvillimin e tij dhe ka rrezikuar shanset për t’u përfshirë në listën e Brazilit për Kupën e Botës.
Megjithëse mban fanellën me numrin 9 dhe ka ambicie për të lënë gjurmë te “Santiago Bernabéu”, mungesa e minutave e ka detyruar të marrë një vendim karriere. Endrick është i bindur se për t’u kualifikuar në ekipin kombëtar duhet të luajë rregullisht, dhe për këtë arsye ka pranuar opsionin e huazimit në Ligue 1.
Konkurrenca e madhe në sulmin e Xabi Alonsos, ritmi i lartë i ekipit dhe objektivat e mëdha kanë kufizuar hapësirat për 17-vjeçarin, i cili shihet më shumë si një investim afatgjatë. Për këtë arsye, Real Madrid po e konsideron huazimin si rrugën më të mirë për zhvillimin e tij pa e humbur nga duart.
Lyon e sheh Endrickun si një shtysë për gjysmën e dytë të sezonit, duke i garantuar jo vetëm minuta të rregullta, por edhe një rol të rëndësishëm në sulm. Franca konsiderohet shpesh si ambient i përshtatshëm për rritjen e talenteve të rinj, dhe ky profil i jep besim edhe lojtarit, edhe klubit madrilen.
Burimi: Telegrafi.