Ish-policii i Njësisë Speciale, Arbnor Spahiu, është liruar nga burgu në Serbi të premten, njoftuan familjarët e tij. Ai ka hyrë në Kosovë gjatë mbrëmjes së së premtes, sipas një njoftimi të familjes.
Shkëlzen Spahiu shkruante në Facebook: “Arbnor Spahiu sapo ka shkelur tokën e Republikës së Kosovës. Ju falënderojmë në emër të familjes për përkrahjen që na keni dhënë në këto ditë të vështira. Arbnori është mirë me shëndet. Urojmë që ky të jetë rasti i fundit për shtetasit tanë.”
Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë. Ai ishte akuzuar për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Për lirimin e tij janë mbajtur protesta, ndërsa ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, kishte kërkuar lirimin e Spahiut në fjalimin e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.