Disa qytetarë ende nuk kanë marrë rimbursimet për faturat e skanuara përmes aplikacionit “TVSH-ja ime”, edhe pse nëntori po afron drejt fundit.
Ministria e Financave njofton se paratë do të jenë në llogari deri në fund të këtij muaji.
“Pagesa e fondeve për faturat fiskale të skanuara përmes aplikacionit ‘TVSH-ja ime’ bëhet brenda 60 ditëve pas përfundimit të tremujorit. Për tremujorin e tretë (korrik-shtator), afati ligjor për pagesë është 30 nëntori 2025. Problemet më të zakonshme që shkaktojnë vonesa në pagesën e fondeve lidhen me të dhënat e llogarisë së transaksionit të futura gabimisht ose të paazhurnuara në sistemin PRO”, tha Departamenti i Financave.
Në lidhje me spekulimet se masa mund të shfuqizohet, Ministria thekson se masa është e vendosur ligjërisht dhe vazhdon të jetë e vlefshme, dhe se pagesat bëhen brenda afateve të përcaktuara ligjërisht.