Një gjykatë në Los Angeles rrëzoi një padi për sulm seksual kundër aktorit Vin Diesel të ngritur nga ish-asistentja e tij, Asta Jonasson, duke vendosur se ligji i Kalifornisë nuk mund të zbatohej për një incident që raportohet të ketë ndodhur në Gjeorgji në vitin 2010.
Jonasson kishte depozituar padinë në vitin 2023, duke pretenduar se gjatë xhirimeve të filmit “Fast and Furious 5” Diesel e kishte sulmuar në një suitë hoteli në Atlanta. Në padi ajo deklaroi se më parë ai e kishte ftuar në apartamentin e tij, e kishte detyruar të shtrihej në shtrat dhe, pasi ajo u largua, e shtyu pas murit, masturboi para saj dhe u përpoq t’i hiqte të brendshmet.
Sipas pretendimeve të padisë, vetëm pak orë pas incidentit motra e Diesel dha dorëheqjen përmes telefonit, pas nëntë ditësh pune.
Gjykatësi Daniel M. Crowley kishte rrëzuar më parë katër nga dhjetë akuzat e padisë për shkak të parashkrimit. Të mërkurën ai rrëzoi gjashtë akuzat e mbetura për shkak të mungesës së juridiksionit. Gjykatësi tha: “Është e padiskutueshme që sulmi seksual i dyshuar ka ndodhur në Atlanta, Georgia. Padia dështon si çështje ligjore sepse statutet e Kalifornisë supozohet se nuk kanë efekt ekstraterritorial, përveç nëse legjislatura përcakton ndryshe kur miraton statutin.”
Jonasson kishte thirrur në ndihmë Aktin për Llogaridhënien dhe Mbulimin e Sulmeve Seksuale, ligjin e miratuar në vitin 2022 që i lejoi Kalifornisë të ringjallte disa raste të sulmeve seksuale që datojnë deri në vitin 2009. Një gjyqtar tjetër kishte vendosur se ky ligj nuk mund të zbatohej jashtë territorit të Kalifornisë.
Avokatët e Asta Jonasson kanë njoftuar se do të bëjnë ankesë ndaj vendimit. Ata thanë: “Gjykata nuk ka vendosur asgjë në lidhje me vërtetësinë e akuzave të znj. Jonasson. Vendimi bazohet në një teknikalitet ligjor, me të cilin ne me respekt nuk pajtohemi.”
Avokati i Diesel, Bryan Freedman, përshëndeti vendimin e gjykatës, duke thënë se ishin mirënjohës që gjykata i kishte dhënë fund një “padie të pabazuar”. “Jemi të kënaqur që kjo çështje është zgjidhur plotësisht,” shtoi ai.
Burimi: Telegrafi.