Reshjet bllokojnë rrugët rurale në Maliq dhe Pogradec, dhjetëra banorë të izoluar

Reshjet e shumta dhe kushtet e vështira atmosferike kanë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e rrugëve në zonat rurale të Bashkisë Maliq dhe në njësitë administrative të Pogradecit. Si pasojë, qarkullimi është vështirësuar dhe dhjetëra banorë janë izoluar.

Në fshatin Dushar raportohet që rreth 30 familje kanë mbetur të bllokuara, pasi rruga është bërë e pakalueshme. Për një rast emergjent, banorët ndërhynë vetë dhe hapën përkohësisht rrugën për të mundësuar kalimin.

Sipas verifikimeve në terren dhe kontaktit me kryepleqtë, në njësinë administrative Dardhas janë konstatuar problemet e mëposhtme:
– Stropckë: një lagje është bllokuar nga shembja e dheut.
– Dardhas: shembje dhe gërryerje të rrugës që kërkojnë ndërhyrje; rruga që lidh Dardhasin me fshatrat e sipërm është e pakalueshme dhe ka izoluar rreth gjashtë fshatra të Gorës (Osnat, Dërdushë, Niçë, Prenisht, Lekas, Stërkanj).
– Dërdushë: një përrua është bllokuar nga inertet.
– Osnat: ura pranë lumit është e pakalueshme dhe në dalje të fshatit ka shembje dheu që kërkojnë pastrim.
– Niçë: ura është bllokuar nga prurjet e shumta dhe është e pakalueshme.
– Stërkanj: dëmtime të mëdha të rrugës; kalimi mundësohet vetëm me mjete të rënda.

Në njësinë Proptisht nevojiten ndërhyrje me fadromë për hapjen e rrugëve në fshatrat Selishtë, Zall Torrë, Rrodokal Sipër dhe Kriçkovë.

Në njësinë Çërravë, rruga që lidh Çërravën me Lumasin është e dëmtuar dhe kërkon hedhje çakulli, pasi gjendja e saj vështirëson qarkullimin.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *