Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, reagoi sot lidhur me subvencionimin e faturave të energjisë elektrike. Ajo përmes një postimi në Facebook e quajti këtë masë “gënjeshtrën më të madhe” të qeverisë dhe publikoi të plotë reagimin e saj.
Lexoni të plotë postimin:
“Subvencionimi i faturave të energjisë”
Energjia – korrupsioni dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj Qeverie.
Dje Albin Kurti përmes Hekuran Muratit na njoftoi se në këtë muaj ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike.
Çfarë hipokrizie!
Derisa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare në Kosovë ka paguar 54 Euro, a e dini sa ka paguar e njëjta familje në tetor të vitit 2025? Ka paguar 169 Euro. D.m.th. 300% më shumë, e tash kishin “ne jemi për popullin dhe po subvencionojmë faturat familjeve”.
Por, pos ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për 300%, rreth 1,300 biznese vendore, pjesa dërrmuese prodhuese, pas “liberalizimit të tregut” çmimin e MWh që tetorin e vitit të kaluar e kanë paguar 75 Euro tash e paguajnë 206 Euro.
Ndërsa të dhënat e Doganës së Kosovës konfirmojnë se, derisa Kosova për vitet 2015–2020 ka importuar 273 milionë Euro energji, importi i energjisë gjatë pesë viteve të qeverisë së Albin Kurtit (2021–shtator 2025) ka arritur në 811 milionë Euro.
A po e shihni mashtrimin?
Ani: “po ju subvencionojmë faturat”
Po i subvenciononi xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët keni lidhje të ngushta, me paratë e rinisë që ka ikur në mërgim e nga atje po e financon konsumin në Kosovë (krejt kjo lehtë e faktueshme).”
Telegrafi