Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, reagoi pas deklaratës së kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili të premten tha se brenda PDK-së nuk ka vendim për përjashtimin e Lladrovcit.
Në reagimin e tij në Facebook, Lladrovci shkruan se “uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës” dhe se, përkundër deklarimeve të tij të qarta, “mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet”.
Ai theksoi se nga disa eksponentë gjendja po promovohet si normale dhe disfata po paraqitet si fitore. Sipas tij, reflektimet në opinion nga “ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga z. Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën”, nuk janë rrugë për ta fuqizuar partinë apo degën.
Lladrovci kërkoi ridefinim të qasjes dhe metodave politike dhe organizative, duke sugjeruar përdorimin e “gjuhës së fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile” dhe largimin e “shkurtpamësisë politike” nga partia.
Ai gjithashtu deklaroi se “keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shtetformuese dhe shtetndërtuese.”
Reagimi i Lladrovcit erdhi pas deklaratës së Bedri Hamzës që mohoi ekzistencën e një vendimi për përjashtimin e tij. Burimi: Telegrafi.