OpenAI ka shtuar mundësinë e bisedave grupore edhe për përdoruesit e versionit falas të ChatGPT.
Me këtë opsion mund të bashkëpunojnë deri në 20 persona në të njëjtin chat — miq, familjarë ose kolegë — për të planifikuar udhëtime, përgatitur dokumente, diskutuar ide ose marrë vendime së bashku.
Çdo përdorues ruan privatësinë e vet: cilësimet dhe “memoria” e bisedave janë të pavarura për individët.
Për të krijuar një grup, mjafton të shtypni ikonën me figura njerëzish dhe të ftoni pjesëmarrësit, qoftë direkt, qoftë përmes një linku. Ata që pranojnë ftesën do të fillojnë një bisedë të re së bashku.
OpenAI thotë se ChatGPT di kur të ndërhyjë dhe kur të qëndrojë mënjanë në një bisedë grupore: përdoruesit mund ta “etiketojnë” që t’u përgjigjet, dhe ai mund të reagojë me emoji ose të bëjë referenca në profilet e pjesëmarrësve.
/Telegrafi/