Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dërguar mesazh për qytetarët, duke theksuar se më 28 dhjetor ata do të vendosin për të ardhmen e Kosovës.
Ai tha se vendi ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm dhe se ka ardhur koha për vendime të guximshme. “Kosova nuk pret më. Koha e fjalëve ka kaluar. Tani është koha e vendimeve të mëdha dhe të guximshme,” deklaroi Haradinaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve për përgjegjësi të qartë: “Ta mbrojmë të ardhmen e vendit tonë, jo me fjalë të thata, por me votë të pastër, me qëndrim të fortë dhe me dinjitet.”
Haradinaj vuri në pah rolin e çdo shtrese të shoqërisë në procesin e vendimmarrjes: “Kur voton ushtari, shtetit i kthehet nderi. Kur voton polici, familjet marrin siguri… Kur voton populli, fitojnë gjeneratat.”
Sipas tij, fokusi i AAK-së është rikthimi i besimit te shteti, përmes një qeverisjeje që punon për qytetarët dhe që nuk i nënshtrohet propagandës. “Kosova ndërtohet në terren, dhe jo me propagandë,” shtoi ai, duke premtuar se në ditët në vijim do të jetë pranë qytetarëve “në secilin fshat, në secilën lagje, në secilën familje që ka mbajtur Kosovën gjallë në ditët më të vështira.”
Haradinaj pati një mesazh të veçantë për mërgatën: “Janë zemra e Kosovës në botë… Me votën e tyre, me votën tuaj, Kosovës i kthehet shpresa.” Ai gjithashtu ritheksoi besnikërinë ndaj aleatëve ndërkombëtarë, duke theksuar se pa ta “s’ka shtet të sigurt.”
Në fund bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm më 28 dhjetor: “Kosova mbrohet prej popullit. E populli më 28 dhjetor do të flasë fort. E do të flasë drejt.” Haradinaj përmbylli mesazhin me ftesën për takimet e radhës me qytetarët, duke theksuar rëndësinë e çdo vote në procesin e rikthimit të shpresës dhe forcimit të shtetit.
Burimi: Telegrafi