Lëvizja BESA shënon 11-vjetorin dhe thotë se ka sjellë ndryshim në politikën vendore

Lëvizja BESA po shënon sot 11-vjetorin e themelimit. Në një komunikatë për media, subjekti thotë se rrugëtimi politik nuk ka qenë i lehtë, por i domosdoshëm dhe se, pas 11 vjetësh ekzistence, ka arritur të sjellë ndryshim në politikën vendore.

Reagimi i plotë:

11 vite më parë nisëm një rrugëtim që nuk ishte as i lehtë, as i sigurt, por i domosdoshëm. Vumë në lëvizje një organizatë politike të mbështetur mbi besën autoktone, autentike dhe autonome të këtij populli — besën se shqiptarët në këtë vend meritojnë më shumë, mund të bëjnë më shumë dhe mund të bashkohen për ndryshimin që e kërkon koha.

Sot, në 11-vjetorin e këtij rrugëtimi dhe në 127-vjetorin e Kongresit të Manastirit, simbol i bashkimit dhe rilindjes, kujtojmë një të vërtetë të madhe: vetëm popujt që bashkohen rreth idealit dhe punës arrijnë t’i ndryshojnë epokat e tyre. Pikërisht këtë ka bërë Lëvizja BESA.

BESA që dhamë para 11 vjetësh si një betim për ndryshim, dinjitet dhe përfaqësim politik, sot, pas më shumë se një dekade përpjekjesh, po realizohet. Po ndërtojmë institucione më të ndershme, politika më të përgjegjshme dhe një vizion të ri për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Ashtu si Kongresi i Manastirit bashkoi kombin rreth alfabetit, ne sot, si pjesë e koalicionit VLEN, po bashkojmë qytetarët rreth një projekti që frymëzohet nga e kaluara, vepron në të tashmen dhe ndërton të ardhmen.

Urime 11-vjetori i Lëvizjes BESA.
BESA e dhënë, ndryshimi i bërë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *