Musliu: Moha e Vuçiqit për ‘Safari Snajper’ bie ndesh me deklaratën e tij të 1994

Eksperti i sigurisë Agim Musliu reagoi pas mohimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk kishte marrë pjesë në të ashtuquajturin “Safari Snajper” gjatë luftës në Bosnje.

Musliu e konsideroi këtë mohim kontradiktor me deklaratat publike të mëparshme të Vuçiqit. Ai përmendi një deklaratë të vitit 1994 në të cilën Vuçiq kishte thënë: “Kur filloi lufta në Bosnje, unë shkova në Sarajevë dhe u paraqita si vullnetar… Kam qenë për një kohë në varrezat hebreje.”

Sipas Musliut, pranimi i Vuçiqit se ka qëndruar pranë varrezave hebreje — një zonë që, sipas raporteve ndërkombëtare, ishte përdorur për qëllime luftarake, përfshirë sulme ndaj civilëve — ngre pyetje serioze për rolin e tij të atëhershëm. “Vetë fakti që ka pranuar publikisht se ka qenë në pozicionet e varrezave të hebrenjëve në Sarajevë, pikërisht aty ku sipas dëshmive dhe raportimeve ndërkombëtare u qëllua mbi civilë, e konfirmon prezencën e tij në ‘Safari Snajper’,” shkroi Musliu.

Ai ngriti gjithashtu pyetje drejtuar presidentit serb: “Çfarë ka bërë Vuçiqi saktë në pozicionin e varrezave hebreje? Në çfarë operacione ka marrë pjesë?”

Musliu lidh këtë çështje edhe me zhvillimet në Kosovë, duke akuzuar se Vuçiq, së bashku me Milan Radoiçiqin, “dirigjon struktura ilegale serbe në Kosovë”.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *