Europarlamentari Thijs Reuten i bëri thirrje Komisionit Evropian të propozojë shteteve anëtare heqjen e menjëhershme të masave ndaj Republikës së Kosovës dhe të nisë procedimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në një postim në platformën X ai shkroi: “Komisioni Evropian duhet t’u propozojë shteteve anëtare heqjen e menjëhershme të masave kundër Kosovës dhe të fillojë përpunimin e kërkesës për anëtarësim në BE.”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nga Tirana përsëriti se masat janë të padrejta dhe se është hera e fundit që i drejtohet kësaj çështjeje përpara përfaqësuesve të BE-së. Në prani të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, dhe drejtorit të përgjithshëm për Fqinjësi, Gert Jan Koopman, Kurti deklaroi se prej 18 muajsh masat po dëmtojnë padrejtësisht Kosovën dhe duhet të hiqen pa vonesë.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Kurti për avancim të procesit të anëtarësimit, Bashkimi Evropian nuk ka ndërmarrë lëvizje konkrete që nga dorëzimi i aplikimit para tre vitesh.
Reuten, një prej zërave pro-Kosovë në Parlamentin Evropian, ka theksuar se BE-ja duhet të veprojë me drejtësi dhe konsistencë ndaj shteteve që kanë përmbushur kriteret demokratike dhe të sundimit të ligjit.