Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Pierre Richard Prosper, tha se nëse Hashim Thaçi dhe të tjerët shpallen fajtorë, ky do të ishte një vlerësim i padrejtë i historisë. Deklarimin e bëri në një intervistë ekskluzive për “Info Magazine” në Klan Kosova.
Prosper vlerëson se të dhënat historike, përfshirë ato nga NATO dhe kujtimet e zyrtarëve përgjatë zinxhirit komandues, janë në kundërshtim me një përfundim të tillë. “Mendoj se nëse ata shpallen fajtorë, mendoj se është një keqkuptim i qartë dhe vlerësim i padrejtë jo vetëm për të vërtetën, por për gjithë historinë”, tha ai.
Ai shtoi se gjatë pesë viteve të fundit ka pasur një keqinterpretim dhe ndryshim të historisë, por pas përfundimit të dëgjimeve të dëshmitarëve mbrojtës, bota ka mundësi të njohë realitetin. Prosper beson se provat historike do të nxjerrin në pah të vërtetën dhe shprehet i bindur se procesi do të përfundojë me lirimin e Thaçit dhe të tjerëve: “nëse e shohin të vërtetën ashtu siç është, presidenti Thaçi dhe të tjerët do të jenë burra të lirë”.
Ai theksoi gjithashtu se gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Hashim Thaçi sipas tij nuk ka pasur komandë dhe kontroll të drejtpërdrejtë mbi pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës ka përfunduar dhe mbetet faza e fjalëve përfundimtare, të cilën Prosper e përshkroi si një detyrë “masive”. Ai kritikoi Prokurorinë duke thënë se, në vend që të provojnë faktet, janë mbështetur në libra, lajme, shkrime dhe shkresa, dhe se këto prova duhet të rishikohen dhe të ballafaqohen me dosjen e mbrojtjes. Argumentet e mbrojtjes do të prezantohen nga avokatët në fillim të vitit të ardhshëm.
Prosper tha se do të kishte dëshiruar të kishte edhe dëshmi të tjera në listë, por disa nga personat e propozuar tashmë kanë vdekur; mes tyre, sipas tij, do të kishte qenë një dëshmitare e shkëlqyer ish-sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.