Partitë politike të regjistruara kanë afat deri më 30 nëntor 2025 për t’i njoftuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nëse do të garojnë si koalicion në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Deri më tani nuk ka pasur lëvizje që mund të konsiderohen të papritura për skenën politike.
Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, tha se sipas ligjit çdo parti politike e regjistruar që synon të marrë pjesë në zgjedhje përmes një koalicioni duhet ta njoftojë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike. “Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 nëntor 2025”, tha Elezi.
Elezi theksoi se partia që vendos të bëhet pjesë e një koalicioni ka detyrimin të respektojë rregullat e tij. “Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar deri në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve nga ana e KQZ. Gjithashtu, partia që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, tha ai.
Po ashtu, deri më 30 nëntor 2025 është afati për partitë që të njoftojnë KQZ-në se nuk dëshirojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.