Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi sot Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Financave për bllokim të qëllimshëm të të hyrave vetanake të kryeqytetit dhe paralajmëroi se shërbime jetike mund të ndërpriten që nga dita e nesërme.
Në konferencë për media, Rama tha se situata ka arritur në pikën më kritike deri më sot. Ai njoftoi se, sipas operatorëve, transporti publik urban do të ndalet duke nisur nga nesër.
Rama deklaroi se prej më shumë se një viti Komuna e Prishtinës ka kërkuar vazhdimisht alokimin e buxhetit që i takon, por asnjë kërkesë nuk është trajtuar nga Ministria e Financave. Ai theksoi se buxheti është bllokuar për arsye politike.
Sipas Ramës, në total janë bllokuar 35 milionë euro: 25 milionë euro të hyrat vetanake dhe 10 milionë euro grant qeveritar. Ai tha se kjo ka pamundësuar pagesën e stafit dhe funksionimin e shërbimeve esenciale të komunës.
Kryetari njoftoi gjithashtu se ka ndërmarrë hapa juridikë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe ka dorëzuar kallëzim penal. Institucioni i tij i është drejtuar edhe kryeministrit dhe presidentes dhe ka kërkuar shqyrtim urgjent nga Gjykata Kushtetuese.
Rama përfundoi duke thënë se nuk e kishte besuar se qytetarët do të vihen në rrezik për interesa elektorale.