Mbrëmjen e 22 nëntorit 2025, dy punëtorë të minierës “Trepça”, Erson Rrustemi dhe Përparim Beqiri, u lënduan gjatë kryerjes së detyrave në horizontin e dhjetë të minierës. Incidenti ndodhi rreth orës 20:20, në momentin kur punëtorët po kryenin fryrjen e gomës së një kamioni.
Goma shpërtheu gjatë procesit, dhe pluhuri i saj shkaktoi lëndime në sytë e punëtorëve. Pas incidentit, atyre u ofrua ndihma e parë në vendin e ngjarjes, më pas u dërguan në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku morën trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe u liruan për në shtëpi.
Kompaninë “Trepça” njoftoi se menjëherë pas marrjes së informacionit për lëndimin, ka informuar zyrtarisht Inspektoratin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Po ashtu, kompania ka formuar një Komision të Brendshëm Hetimor, i cili del në vendin e ngjarjes për të vlerësuar rrethanat dhe është duke përgatitur raportin zyrtar.
Në njoftim, “Trepça” thekson përkushtimin për sigurinë në punë, duke bërë të ditur se vazhdimisht ndërmerr masa parandaluese dhe investon në trajnimin e punëtorëve për të minimizuar rreziqet.