Ramadani rikujton ardhjet dhe akuzat ndaj Milan Radoiçiqit: ‘kryeterrorist i mbështetur nga Serbia’

Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i AKI-së dhe analist i sigurisë, ka publikuar një reagim ku rikujton zhvillimet që nga arratisja e Milan Radoiçiqit, duke e cilësuar atë si “kryeterroristin e mbështetur nga Serbia” dhe theksuar se ai nuk ka qenë i lirë në Kosovë që nga fundi i vitit 2018.

Sipas Ramadanit, kronologjia e ngjarjeve është si më poshtë:
– Më 23 nëntor 2018, tri javë para votimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, njësitë speciale të Policisë së Kosovës bastisën banesën e Radoiçiqit, por ai kishte ikur pak para aksionit. Ramadani shkruan se “kurrë më nuk u kthye i lirë në Kosovë. Erdhi, të paktën, dy herë maleve.”
– Ardhja e parë pas arratisjes, sipas Ramadanit, ishte më 4-5 korrik 2022, kur Radoiçiq publikoi një video kërcënuese dhe u largua pa u kapur.
– Ardhja e dytë, më 24 shtator 2023, sipas Ramadanit, ishte kur ai udhëhoqi rreth 90 persona të armatosur në sulmin në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Ramadani shkruan se Radoiçiq “iku nga aty maleve, nën snajperin e shtetit të Kosovës.”

Ramadani shton se, megjithëse shpesh prezantohet si organizator kryesor i strukturave kriminale në veri, Radoiçiq nuk është vendimmarrësi më i lartë. Sipas tij: “Shefi i tij është Aleksandar Vuçiq, ndërlidhësi me Rusinë është Aleksandar Vulin, ndërsa Milan Radoiçiq është kryeterroristi në terren.”

Ai përmend gjithashtu se Radoiçiq u vendos në Listën e Zezë të SHBA-së më 8 dhjetor 2021, dhe se më 11 shtator 2024 është akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

(Burim: Telegrafi)

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *