Drançolli: Kufijtë e krijuar në Jugosllavinë komuniste ndikojnë ende në politikë

Albanologu dhe historiani Jahja Drançolli, në një intervistë për KosovaPress, thotë se periudha e Jugosllavisë komuniste dhe reduktimi i hapësirave ilire kanë lënë pasoja të dukshme në politikën e sotme.

Drançolli shpjegon se të gjitha periudhat historike janë të rëndësishme për kuptimin e zhvillimeve aktuale, por tërheq veçanërisht vëmendjen periudha e Jugosllavisë komuniste, për shkak të kufijve dhe problemeve që u krijuan atëherë dhe që vazhdojnë të ndikojnë sot. Ai thekson: “Të gjitha periudhat janë aktuale, sidomos periudha e Antikitetit edhe periudha Mesjetare… periudha e Jugosllavisë komuniste është shumë aktuale për arsye se pjesa në atë kohë Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë komuniste, e cila krijoi telashe kufitare, e këto telashe kufitare që janë paraqitur aty në politikën e ditës së Jugosllavisë komuniste, pothuajse janë aktuale edhe sot.”

Profesori përkujton se territori i Ilirisë në Ballkan ka qenë dukshëm më i madh në të kaluarën, por është tkurrur si pasojë e pushtimeve. Ai nënvizon se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe kjo pasuri historike tregon prezencën e tyre të gjatë në Evropë.

Sipas Drançollit, kufiri i Ilirisë shtrihej nga Italia dhe Venediku, duke ndjekur vijën bregdetare deri në Greqinë e sotme, dhe në veri deri te lumenjtë Sava dhe Danubi. “Ilirët kanë qëndruar në hapësirat e veta edhe gjatë historisë, natyrisht janë rrudhur aq tepër sa që kanë mbetur në këtë hapësirë shumë të ngushtë,” tha ai.

Intervista është realizuar për KosovaPress. /KP/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *