Shevchenko: Derbi i San Siros ka më shumë rëndësi për Milanin sesa për Interin

Andriy Shevchenko shpjegoi pse derbi i së dielës në mbrëmje në “San Siro” ka më shumë rëndësi për ish-skuadrën e tij, Milanin, sesa për kryesuesit aktual të Serie A, Interin.

Në prag të përballjes së parë të sezonit 2025-26 mes dy gjigantëve të qytetit, legjenda ukrainase analizoi momentin e të dyja skuadrave dhe presionin që rëndon më shumë mbi Rossonerët. Interi hyn në këtë duel si lider i tabelës me 24 pikë, ndërsa Milani ka 22 pikë dhe mund ta kalojë rivalin me një fitore.

Duke folur për “La Repubblica”, Shevchenko theksoi se ndeshja ka më shumë peshë për Milanin për shkak të brishtësisë së skuadrës së tyre: “Të dy skuadrat janë në një moment të mirë. Megjithatë, marrja e rezultatit është më e rëndësishme për Milanin, të cilët ende duken pak më të brishtë se Nerazzurri. Ata duhet të vazhdojnë rritjen. Një humbje mund t’ua ndalojë këtë proces.”

Ai vlerësoi transformimin e Interit që nga fillimi i sezonit: “Janë një skuadër ndryshe sot. Duhet ta kthesh faqen sapo mbaron sezoni, të nisësh nga e para. Skuadra e Nerazzurrëve është mbajtur thuajse e paprekur, madje janë përforcuar. Chivu më duket si trajner me vizion të mirë futbolli. Ka idetë e duhura. Janë një nga favoritët për titull.”

Për Milanin, Shevchenko e përshkroi sezonin si periudhë rindërtimi dhe stabilizimi: “Duhej të gjenin sërish atë soliditet, të rindërtonin pas vështirësive të sezonit të kaluar. Duhet marrë parasysh edhe numri i madh i lojtarëve të rinj që erdhën në verë. Allegri po i menaxhon mirë, nuk duhet ta marrin të mirëqenë. Max është trajner me përvojë dhe me karakteristika të qarta. Është një njeri serioz, di si t’i menaxhojë lojtarët. Ka një stil të provuar loje. E di mirë në çfarë po futesh kur e punëson. Po i përgjigjet pritjeve.”

I pyetur për lojtarin që e ka impresionuar më shumë këtë sezon, Shevchenko përmendi Modricun: “Modric po më impresionon, po bën diferencën. Por si ekip, Milani ende ka hapa për të bërë për të qenë në nivelin e Interit.”

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *