Kampionia e Kosovës në futsall, FC Prishtina 01, ka arritur një sukses historik duke u kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira në Champions League të futsallit, një tregues i rritjes së këtij sporti në vend.
Të hënën, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, nga ora 20:25, FC Prishtina 01 do ta presë FC Riga në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave. Një fitore do ta afronte skuadrën kosovare drejt objektivit kryesor: kualifikimit në tetë ekipet më të mira evropiane.
Trajneri Haki Ahmeti shprehu entuziazmin dhe ftoi tifozët të mbështesin skuadrën: “Jemi të lumtur me atë që kemi arritur, por duam ende më shumë. Skuadra është gati dhe e përgatitur për duelin me FC Riga. Ftoj shikuesit që të jenë në numër sa më të madh për këtë ndeshje.”
Për lojtarët, paraqitjet në garat evropiane rrisin vlerën e tyre. Kapiteni Shefki Kameri tha: “Jemi në pjesën më të rëndësishme të garës. Është një arritje shumë e rëndësishme kjo. Shorti ka qenë i favorshëm dhe besojmë se mund të futemi në mesin e tetë ekipeve më të mira në Champions League.”
Të gjithë tifozët e futsallit janë të ftuar të mbështesin kampionët e Kosovës në këtë përballje që mund të hyjë në historinë e klubit. /Telegrafi/