Pezullim i transportit publik në Prishtinë për shkak të bllokimit të fondeve buxhetore

Transporti publik në Prishtinë është pezulluar nga sot për shkak të problemeve të rënda financiare, të shkaktuara nga bllokimi i mjeteve buxhetore. Pas njoftimeve të ndërmarrjes Trafiku Urban dhe kompanisë “24 Yjet”, edhe “Prishtina Shpk – Linja 7B” bëri të ditur se nga dita e hënë ndalon tërësisht ofrimin e shërbimit të transportit të udhëtarëve.

Kompania “Prishtina Shpk – Linja 7B” shpjegon se pezullimi vjen si pasojë e moslëshimit të mjeteve nga niveli qendror, çka ka pamundësuar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet ndaj saj. Sipas njoftimit, bllokimi financiar ka krijuar vështirësi të theksuara, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar shërbimet. Vonesat në pagesa, të cilat datojnë që nga muaji maj, kanë prekur furnitorët, partnerët dhe proceset teknike të brendshme, duke e bërë të pamundur vazhdimin e operimit normal.

Kompania deklaron se, pavarësisht performancës së qëndrueshme deri tani, kushtet aktuale nuk lejojnë më ofrimin e shërbimit dhe bën apel për zgjidhje të menjëhershme të situatës financiare, në mënyrë që transporti publik të rikthehet sa më parë. ‘Prishtina Shpk mbetet e përkushtuar të rifillojë punën menjëherë sapo të kryhen obligimet financiare ndaj nesh. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin’, thuhet në njoftim.

Trafiku Urban njoftoi se ndërprerja e qarkullimit të të gjitha linjave vjen për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së karburanteve. Ndërmarrja shprehu keqardhje për pasojat ndaj qytetarëve dhe bëri të ditur se shërbimi do të rifillojë sapo Ministria e Financave të lëshojë mjetet që mundësojnë shlyerjen e detyrimeve financiare të Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes.

Kompania “24 Yjet” njoftoi gjithashtu pezullimin e të gjitha linjave urbane, duke kërkuar mirëkuptim dhe duke theksuar se përgjegjësia për situatën nuk është e tyre.

Ndërprerja e sotme e transportit publik ka lënë mijëra qytetarë pa mundësi qarkullimi, duke krijuar vështirësi të mëdha në lëvizjen e përditshme. /Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *