Nisin afatet për certifikim dhe dorëzimin e listave për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025; LDK pritet të propozojë Abdixhikun

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Sot kanë nisur zyrtarisht afatet për formimin e koalicioneve parazgjedhore, certifikimin e subjekteve dhe dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se nga sot e deri më 30 nëntor subjektet duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës.

Duke filluar nga sot, subjektet politike — partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur — mund të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve për deputetë. Për përgatitjen e listave, KQZ u ka dhënë subjekteve një afat dyjavor, respektivisht deri më 7 dhjetor 2025.

Në këtë atmosferë përgatitjesh, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë sot në orën 15:00 mbledhjen e Kryesisë Qendrore, ku pritet të propozohet zyrtarisht Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër. Në mbledhje pritet të diskutohen edhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale.

Ky zhvillim tregon se LDK synon të hyjë në garën e 28 dhjetorit me strukturë të konsoliduar dhe me një figurë të qartë udhëheqëse. Skena politike pritet të dinamizohet më tej ditëve në vijim, teksa partitë finalizojnë koalicionet dhe listat zgjedhore.

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *