Mbrëmë, në xhiron e 13-të të La Ligës, Elche dhe Real Madrid barazuan 2-2.
Elche kaloi në epërsi në minutën e 52-të me golin e Febas. Reali barazoi në minutën e 78-të me anë të Huijsen, por goli nxiti polemika: mediat spanjolle raportuan se para shënimit Bellingham i dha asistin me dorë, dhe pavarësisht mundësisë për ndërhyrje nga VAR-i, goli u pranua.
Elche rimori avantazhin në minutën e 84-të me golin e Rodriguez. Tri minuta më vonë, në një situatë të ngjeshur në zonën e vendasve, Vinicius dukshëm faulloi portierin Inaki Pena, i cili pësoi edhe gjakderdhje në hundë, por loja vazhdoi dhe Bellingham shënoi golin e barazimit. As kësaj here VAR nuk ndërhyri.
Gazeta spanjolle Marca, e njohur për lidhjet me Realin, pranoi pas ndeshjes se ndërhyrja ndaj Penas ishte faull i qartë.
Me këtë rezultat, Reali ka barazuar dy ndeshje radhazi, përfshirë takimin e javës së kaluar kundër Rayo Vallecanos, dhe Barcelona është afruar në vetëm një pikë diferencë.
/Telegrafi/