Senatorja australiane e ekstremit të djathtë, Pauline Hanson, hyri në Senat duke veshur burka, pas refuzimit për të paraqitur legjislacionin që do të ndalonte burkat dhe mbulesat e tjera që mbulojnë të gjithë fytyrën në vendet publike në Australi.
Hyrja e saj shkaktoi protesta dhe procedurat u pezulluan kur Hanson refuzoi ta hiqte mbulesën, pavarësisht kundërshtimeve nga senatorë të shumtë dhe nga Presidenti i Senatit.
Ligjvënësit myslimanë e akuzuan atë për “fyerje të fesë”. Mehreen Faruqi tha: “Kjo është një senatore që tregon racizëm të hapur.” Senatorja Fatima Payman e quajti veprimin “të turpshëm”.
Hanson u bë e njohur që në vitet 1990 për kundërshtimin e saj ndaj imigracionit nga Azia dhe ndaj azilkërkuesve, dhe gjatë karrierës parlamentare ka bërë fushatë kundër veshjeve islamike.
Në një deklaratë të postuar më vonë ajo tha: “Pra, nëse parlamenti nuk e ndalon, unë do të mbaj këtë mbulesë koke shtypëse, radikale dhe jofetare që kërcënon sigurinë tonë kombëtare dhe degradon një grua në parlamentin tonë, në mënyrë që çdo australian të dijë se çfarë është në rrezik.” /Telegrafi/