Sindikata: Kushtet në Minierën me Flotacion të Trepçës janë të rënda dhe të rrezikshme

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar për kushtet e punës në Minierën me Flotacion të Trepçës. Në një postim në Facebook, sindikata kërkon që vëmendja e qeverisë të kthehet drejt minierave me plane konkrete veprimi.

Sipas reagimit, kushtet në minierë janë “të rënda, të rrezikshme dhe të papranueshme”. Sindikata thekson se pajisjet e vjetruara nuk i plotësojnë standardet elementare të sigurisë dhe rreziku për lëndim është i pranishëm sa herë që përdoren. Mungesa e investimeve gjatë viteve të fundit konsiderohet si shkak kryesor i gjendjes aktuale.

Po ashtu, sindikata apelon se trajnimet e domosdoshme për sigurinë dhe shëndetin në punë mungojnë, ndonëse ligji i kërkon ato të mbahen rregullisht. Ajo raporton për lëndime të rënda dhe të lehta brenda minierës, disa me pasoja të përhershme në shëndet, dhe thotë se ky numër është alarmues.

Sindikata i bën thirrje qeverisë së re dhe çdo institucioni që do të marrë përgjegjësi pas zgjedhjeve që të kthejë vëmendjen kah minierat dhe të hartojë një plan të qartë, serioz dhe afatgjatë për sektorin minerar, me investime të drejtpërdrejta në Trepçë. Ajo kërkon gjithashtu nga menaxhmenti që menjëherë të nisë trajnime të sigurisë dhe të marrë të gjitha masat mbrojtëse pa vonesë.

Sindikata përfundon duke nënvizuar se investimet në Trepçë “nuk janë dëshirë, janë domosdoshëri” dhe se “minatorët nuk mund të presin më.” /Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *