Abdixhiku: Bllokada e buxhetit ndaj Prishtinës dëmton qytetarët

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj situatës në kryeqytet pas ndërprerjes së transportit publik dhe vonesave në pagesat për punëtorët e Trafikut Urban. Ai e cilësoi bllokadën e buxhetit nga Qeveria e Kosovës si një veprim politik që dëmton drejtpërdrejt qytetarët e Prishtinës.

“Kur bllokada 10 mujore e shtetit mori fund, vendosën të bllokojnë Prishtinën. Sepse nuk dinë më shumë. Kjo është mendja e tyre. Jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë, ushqehen me bllokadë!”, shkroi ai, përcjell Telegrafi.

Abdixhiku tha se pas këtij vendimi mbeten qytetarët pa shërbime bazike, fëmijët pa mësim dhe punëtorët pa paga, ndërsa pushteti, në vend të arsyes, ushtron “hakmarrje politike” ndaj Prishtinës. Ai shtoi se “popullistët nuk duan ta kuptojnë se kur bllokojnë buxhetin e Kryeqytetit, nuk e bllokojnë LDK-në. E bllokojnë jetën e qytetarëve të vet”.

Ai deklaroi se Kryeqyteti kërkon vetëm fondet e veta, rreth 35 milionë euro të mbledhura nga taksat komunale dhe grantet, të cilat, sipas tij, po mbahen peng për interesa politike. “Prishtina nuk i kërkon paratë e vitit 2026, por të këtij viti, që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025. Pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij”, tha Abdixhiku.

Ai përfundoi se Prishtina nuk do të mbahet peng dhe se qytetarët do të vazhdojnë të kërkojnë shërbimet që u takojnë. /Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *