Vdes Jimmy Cliff, legjenda e reggae-t, në moshën 81-vjeçare

Jimmy Cliff, legjenda e muzikës reggae, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, njoftoi bashkëshortja e tij, Latifa Chambers. Sipas saj, muzikanti vdiq pas një krize, e ndjekur nga pneumonia.

Chambers, në një postim në Instagram, e përshkroi Jimmy-n si një burrë të dashur dhe frymëzues, duke theksuar se mbështetja e fansave kishte qenë një forcë për të gjatë gjithë karrierës së tij.

I lindur si James Chambers në vitin 1944 në Xhamajka, ai u rrit në një familje me shumë fëmijë dhe filloi të këndonte që në moshën gjashtë vjeç në kishën lokale. Në moshën 14-vjeçare u zhvendos në Kingston dhe ndërroi mbiemrin në Cliff, duke shprehur ambiciet e tij për të arritur lart.

Ai nisi karrierën me këngë solo në skenën lokale dhe më vonë arriti sukses ndërkombëtar me hite si Wonderful World, Beautiful People dhe Vietnam, të cilën Bob Dylan e quajti këngën më të mirë protestuese të shkruar ndonjëherë.

Roli i tij kryesor në filmin kult The Harder They Come (1972), ku interpretoi Ivan Martin, ishte një pikë kthese jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për përhapjen e muzikës reggae te audiencat amerikane dhe ndërkombëtare. Kolona zanore e filmit, që përfshinte këngë si Many Rivers To Cross, u bë një ikonë e zhanrit dhe frymëzoi breza të rinj artistësh.

Gjatë dekadave, Jimmy Cliff regjistroi albume të suksesshme, fitoi çmime Grammy dhe bashkëpunoi me artistë të mëdhenj si Rolling Stones. Rikthimi i tij me këngën I Can See Clearly Now për filmin Cool Runnings i riktheu suksesin ndërkombëtar dhe i prezantoi tingujt e Xhamajkës një audience të re. Ai gjithashtu performoi në festivale si Glastonbury dhe Coachella.

Përveç kontributeve muzikore, Cliff njihet për ndikimin e tij kulturor dhe për frymëzimin që i dha mijëra fansave. Përpjekjet dhe talenti i tij e bënë atë një ikonë të reggae-t dhe një ambasador të muzikës dhe kulturës xhamajkane në mbarë botën.

Do të mbahet mend si një nga yjet më të mëdhenj të reggae-t, një artist që sfidoi kufijtë dhe solli muzikën e Xhamajkës në çdo cep të globit. /Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *