Më 23 dhe 24 nëntor, dy faqe në Facebook – “Peja LIVE” dhe “Revista Ora” – publikuan video ku një person me mikrofon pyeste qytetarë të paraqitur si mërgimtarë nëse do të vinin të votonin më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Në disa fragmente, të intervistuarit duken duke thënë se do të votojnë për Albin Kurtin.
Sipas verifikimit të kryer nga hibrid.info, këto video rezultojnë të jenë gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe nuk pasqyrojnë situatën reale.
Çfarë thuhet në videot
Në videot e publikuara shfaqet një moderator që, duke pretenduar se ndodhet në Aeroportin e Prishtinës, pyet: “A do të vini të votoni në Kosovë më 28 dhjetor?” Në videon e “Peja LIVE” një nga të intervistuarit deklaron: “Po patjetër që do të vij, do ta votoj më të mirin që ka punuar në këtë vend. Ky vend nuk do të ishte zhvilluar pa të, Albin Kurtin, i vetmi që e meriton votën e diasporës”. Kjo video, në momentin e publikimit të artikullit, kishte rreth 3.7 mijë shikime, 486 komente dhe 267 shpërndarje.
Në videon e “Revista Ora”, e intervistuara thotë: “Po, normal që do të vijmë me gjithë familjen për të votuar për Albin Babën, për më të mirin. Ai është një njeri i mençur që duhet të jetë kryeministër i Kosovës. Inshallah të marrë 600 mijë vota dhe të fillojmë vitin 2026 mirë”. Kjo video kishte rreth 6,900 shikime, 1,600 komente dhe 347 shpërndarje në momentin e publikimit të artikullit.
Analiza dhe rezultatet e verifikimit
Pas analizës me platforma të specializuara për zbulimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga IA, videoja e publikuar nga “Peja LIVE” mori vlerësim 99.9% nga Hive Moderation dhe nga deepware.ai, që tregon se përmbajtja është gjeneruar nga inteligjenca artificiale (deepfake). Edhe videoja e “Revista Ora” rezultoi e gjeneruar me IA, duke marrë një vlerësim prej 95% nga Hive Moderation.
Përmbledhje
Verifikimi tregon se videot e publikuara nga të dyja faqet janë të krijuara me inteligjencë artificiale dhe nuk pasqyrojnë deklarata reale të qytetarëve.