Familja dhe menaxhmenti i Elijona Binakajt reaguan pas lajmeve të fundit. Në një deklaratë zyrtare të publikuar në profilin e saj në Instagram, ata njoftojnë se shumë nga informacionet e përhapura nuk përputhen me të vërtetën.
Sipas familjes, Elijona ka qëndruar për pesë vjet (rreth moshës 7–13 vjeç) tek një familje gjermane si masë e përkohshme, derisa babai i saj biologjik të siguronte kujdestarinë. Ata thonë se ishte vetë Elijona që vendosi të kthehej te babai biologjik dhe se procesi u zhvillua me procedura ligjore të rregullta, përfshirë edhe ndërhyrjen e policisë gjermane, për shkak se bëhej fjalë për një të mitur.
Familja dhe menaxhmenti paralajmërojnë se po ndërmarrin raportime dhe hapa ligjorë kundër mediave që, sipas tyre, kanë shpërndarë dezinformata. Ata i bëjnë thirrje portaleve të tregojnë përgjegjësi profesionale dhe të mos manipulojnë historinë personale të Elijonës.
Njoftimi i plotë i publikuar nga familja dhe menaxhmenti:
Deklaratë Zyrtare për Elijonën – Big Brother VIP Kosova, Sezoni 4.
Dëshirojmë të sqarojmë disa keqinterpretime nga informacione të marra nga mediat gjermane dhe të publikuara së fundmi në media kosovare.
Elijona ka qëndruar për një periudhë prej 5 vjetësh (7–13 vjeç) tek një familje gjermane, dhe kjo ishte një masë e përkohshme derisa babai biologjik të fitonte kujdestarinë gjatë fillimeve në shtet të huaj.
Gjatë asaj kohe, vetë Elijona ka vendosur të largohet nga familja gjermane dhe të kthehet tek babai i saj biologjik, pasi nuk kishte dëshirë të qëndronte më gjatë aty.
Për shkak të moshës së mitur, në proces është përfshirë edhe policia gjermane, dhe janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për mbrojtjen e saj. Çdo interpretim tjetër është i pasaktë dhe i deformuar.
Për keqinformimet e publikuara nga disa portale në Kosovë, procedurat e raportimit në Meta janë tashmë në proces. Paralelisht, do të ndërmerren hapa ligjorë ndaj çdo mediumi që ka shpërndarë dezinformatë.
Thirrje për mediat: Ju lutem, tregoni përgjegjësi profesionale. Respektoni faktet. Mos luani me historinë e një vajze që sot ka zgjedhur të shkëlqejë.
Me respekt, Familja & Management.
Burimi: Telegrafi