Kriza e lëndimeve në mbrojtje vazhdon te Juventusi. Skuadra udhëtoi drejt Norvegjisë për ndeshjen e Ligës së Kampionëve të martën, më 25 nëntor, pa pesë futbollistë.
Trajneri Luciano Spalletti publikoi listën e të ftuarve, ku bien në sy mungesat e tre mbrojtësve kryesorë: Federico Gatti nuk është rikuperuar nga gripi; Daniele Rugani mbetet jashtë për shkak të një dëmtimi muskulor; ndërsa Gleison Bremer është në fazën e rikuperimit pas operacionit në menisk.
Përveç tyre, janë jashtë edhe portieri Carlo Pinsoglio dhe sulmuesi Arkadiusz Milik, i cili nuk është në listën e UEFA-s pasi është i jashtë fusheve prej më shumë se një viti e gjysmë.
Edon Zhegrova është pjesë e skuadrës, megjithëse trajneri e kritikoi pas përplasjes verbale që lojtari pati me tifozët e Fiorentinës. Kosovari mbetet një element i rëndësishëm në planet e klubit.
Bianconerët shkojnë në Norvegji me synimin për të marrë fitoren e parë në Champions këtë sezon. Spalletti pritet të dalë në konferencë për shtyp për të dhënë përditësimet e fundit mbi gjendjen e skuadrës.
/Telegrafi/