Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reagoi ndaj deklarimeve të disa anëtarëve që javën e kaluar thanë se kishin kërkuar mbrojtje nga institucionet e sigurisë, duke u shprehur se ishin subjekt i kërcënimeve gjatë zhvillimeve të fundit.
Në njoftimin zyrtar, KPK i cilëson këto pretendime tërësisht të pavërteta dhe të pabazuara, dhe thotë se nuk është paraqitur asnjë fakt, provë apo element objektiv për t’i mbështetur ato.
Institucioni thekson se, nëse ekziston dyshim i bazuar për ndonjë kërcënim, ai duhet të raportohet te organet kompetente dhe jo të krijohen perceptime të rreme në opinion publik.
KPK sqaron se mbledhja ku u diskutua shkarkimi i Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është zhvilluar në mënyrë të hapur dhe transparente, në praninë e publikut dhe mediave. Katër anëtarë të Këshillit, përfshirë Ushtruesin e Detyrës, braktisën takimin me vullnetin e tyre, pa pasur asnjë kërcënim apo presion, sipas njoftimit.
Këshilli thekson se secili anëtar gëzon pavarësi funksionale dhe imunitet në ushtrimin e detyrave, ndaj deklaratat për presione i konsideron të papranueshme dhe të pambështetura.
KPK njofton se së shpejti do të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm për të trajtuar situatën e krijuar dhe garanton se do të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, pavarësisht sfidave.
Reagimi i Këshillit vjen pas një jave tensionesh të brendshme dhe polemikash lidhur me procedurat për shkarkimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.