Francesco Calzona, i emëruar përzgjedhës i Sllovakisë më 30 gusht 2022, përballet me pasiguri rreth të ardhmes së tij vetëm pak javë para ndeshjes gjysmëfinale të play-offit për kualifikim në Botërorin 2026, e cila do të zhvillohet më 26 mars të vitit të ardhshëm.
Në shkurt pritet të mbahen zgjedhje në Federatën e Futbollit të Sllovakisë, dhe rezultatet e tyre mund të ndikojnë në vendimin për stolin e kombëtares. Petr Kaspar, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të federatës, tha se drejtuesit mund të marrin në konsideratë edhe një trajner italian për drejtorinë e kombëtares — çështje që diskutohet që nga ardhja e Calzonas.
Calzona, si trajner i huaj, është përballur me lavdërime dhe kritika nga publiku; disa tifozë kanë kërkuar largimin e tij pas çdo paraqitjeje të dobët. Reagimi më i fortë erdhi pas humbjes 6-0 ndaj Gjermanisë në ndeshjen e fundit të fazës kualifikuese. Në kualifikimet e rregullta, Sllovakia regjistroi katër fitore dhe dy humbje.
Kontrata e Calzonas është e vlefshme deri në fund të marsit. Një komitet i ri ekzekutiv mund të rishikojë menjëherë performancën e trajnerit dhe të vendosë nëse ai do të vazhdojë në stol. Ndryshimi i stafit vetëm disa javë para ndeshjeve vendimtare konsiderohet i vështirë, por drejtuesit e federatës nuk i përjashtojnë të gjitha mundësitë. Petr Kaspar vlerësoi se kalimi i Sllovakisë në plejof është një sukses i madh.
Analiza e mediumit sllovak Sport Web i ka kushtuar vëmendje edhe Kosovës, duke theksuar se përparësia e vetme e Sllovakisë në këtë përballje është paraqitja përpara tifozëve të tyre. Sipas mediumit, Kosova luan shpejt, agresivisht dhe me shumë pasion, dhe ruan cilësinë tradicionale ballkanike në mbajtjen e topit.
Sport Web vëren se Kosova, edhe pse një shtet i ri në futboll me popullsi nën dy milionë banorë, disponon futbollistë cilësorë. Shumë prej tyre kanë luajtur në ekipet e të rinjve të Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve skandinave, ku kanë mësuar disiplinën dhe qëndrueshmërinë mendore. Kur këto cilësi kombinohen me entuziazmin dhe kreativitetin tradicional ballkanik, kjo mund të përbëjë një rrezik të madh për kundërshtarët.
Sllovakia dhe Kosova nuk janë ndeshur më parë, por disa lojtarë njihen mes tyre. Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, luan në të njëjtën skuadër me Stanislav Lobotka te Napoli. Mediumi përmend emra si Vedat Muriqi (Mallorca), Edon Zhegrova (Juventus) dhe Milot Rashica (Besiktas).
Po ashtu raportohet se Franco Foda mori drejtimin e përfaqësueses së Kosovës në shkurt 2024 dhe nën udhëheqjen e tij ekipi ka regjistruar 12 fitore nga 19 ndeshje, duke treguar konsistencë dhe potencial për sfidat që vijnë.
/Telegrafi/