Abdixhiku: Kandidat i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi sot në një konferencë për media se do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai tha se nominimi i tij është mbështetur plotësisht nga Kryesia e partisë.

“Kryesia e LDK-së e konsideron se përderisa ka kryetar partie, nuk ka nevojë të ketë kandidat tjetër për kryeministër, prandaj më nominoi”, u shpreh Abdixhiku.

Abdixhiku bëri të ditur se ka hequr dorë nga përpilimi i listës së kandidatëve për deputetë dhe nga renditja e tyre. Ai theksoi se këtë proces do ta kryejë një grup më i gjerë brenda partisë, me qëllim shmangien e pakënaqësive dhe sigurimin e transparencës.

Sipas tij, LDK do të garojë e vetme në zgjedhje, por mbetet e hapur për bashkëpunim me subjekte të tjera politike. “Ftoj partitë tjera për t’iu bashkuar LDK-së në një listë të përbashkët elektorale. LDK do të rezervojë një pjesë të listës për partitë që bashkohen, përfshirë zotin Limaj me partinë e tij. Kemi gatishmëri për bashkëpunim edhe me demokristianët, Partinë e Drejtësisë, AKR-në e zotit Pacolli, etj. Jemi të hapur edhe për individë”, deklaroi ai.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *