Bisedimet në Gjenevë midis SHBA-së dhe Ukrainës, që synojnë të përfundojnë luftën me Rusinë, përfunduan me raportime për “përparim” dhe me qëllim për të vazhduar punën, por pa dalë detaje se si të kapërcehet hendeku midis Moskës dhe Kievit mbi çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përshëndeti “hapat e rëndësishëm” që u bënë, por paralajmëroi se problemi kryesor mbetet kërkesa e Vladimir Putinit për njohje ligjore të territoreve të pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore. “Kjo do të thyente parimin e territorit dhe sovranitetit”, tha ai, duke shprehur shqetësimin se Moska mund të shpërblehej për agresionin me tokë të pushtuar.
Presidenti Donald Trump sugjeroi në mediat sociale se “diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur”, por shtoi kushtin: “Mos e besoni derisa ta shihni”. Komentet e tij, të cilat sugjeruan se Ukraina kishte afat deri të enjten për të pranuar marrëveshjen ose do të përballej me shkurtime serioze të mbështetjes amerikane, krijuan një ndjenjë urgjence në Evropë dhe nxituan bisedimet midis Ukrainës dhe zyrtarëve amerikanë.
Bisedimet në Gjenevë nuk përfshinë përfaqësues rusë. Kremlini tha se nuk kishte marrë informacion mbi rezultatin e diskutimeve. Zëdhënësi Dmitri Peskov theksoi se Moska ishte në dijeni se planit, i cili ishte mirëpritur nga Putini, i ishin bërë “rregullime”.
Një plan paqeje me 28 pika, i hartuar nga zyrtarë amerikanë dhe rusë, iu prezantua Ukrainës javën e kaluar. Disa elemente të tij dukeshin të orientuara drejt kërkesave të mëparshme të Moskës, gjë që nxiti shqetësim në Kiev dhe te aleatët evropianë.
Në anën tjetër, një kundërpropozim, sipas raportimeve të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, përjashtonte njohjen e rajoneve të mbajtura nga Rusia, rritej madhësia e lejuar e ushtrisë së Ukrainës dhe linte të hapur mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Rubio tha se nuk ishte në dijeni të këtij plani, ndërsa ndihmësi i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, e quajti atë “krejtësisht jokonstruktiv”.
Të dielën në mbrëmje, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se në bisedime ishte bërë një përparim “i jashtëzakonshëm” dhe shprehu besimin se do të arrihej marrëveshja. Disa udhëheqës evropianë, megjithatë, dolën më të kujdesshëm: kryeministri polak Donald Tusk tha se nuk ishte i sigurt nëse ishte më afër paqes, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz e përshkroi procesin si “të gjatë dhe afatgjatë” dhe nuk priste përparim të menjëhershëm.