Ekspertët thonë se konsumimi i rregullt i një gote vere të kuqe gjatë vaktit mund të ketë përfitime për shëndetin, si ulje të kolesterolit, zvogëlim të tensionit të gjakut dhe reduktim të rrezikut të diabetit. Midis tyre ishte edhe i ndjeri dr. Michael Mosley, i cili në serialin e BBC Radio 4 “Just One Thing” diskutonte ndikimin e ndryshimeve të vogla të stilit të jetesës.
Studimet
Në një eksperiment izraelit të vitit 2015, 224 pacientë me diabet që nuk konsumonin alkool u ndanë në tre grupe: ata që pinin verë të kuqe, verë të bardhë ose ujë mineral gjatë darkës çdo mbrëmje për dy vjet. Grupi që konsumoi verë të kuqe shfaqi përmirësime më të dukshme në nivelin e kolesterolit dhe, siç u vërejt, edhe në cilësinë e gjumit. Disa pjesëmarrës raportuan gjithashtu kontroll më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak.
Studiues të tjerë nga Spanja raportuan se vera e kuqe mund të përmirësojë reagimin ndaj insulinës, duke ndihmuar në largimin më të shpejtë të sheqerit nga gjaku. Një studim afatgjatë me 312,000 të rritur, i ndjekur për 11 vjet, tregoi se konsumimi i moderuar i verës me vakte u lidhej me një ulje prej 14% të rrezikut për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
Konsumimi me vakt
Ekspertët rekomandojnë që vera të konsumohet gjatë vakteve, pasi kjo rezulton të jetë më e favorshme sesa konsumimi i saj i izoluar. Përfitimet e vërejtura në studime lidhen kryesisht me konsum të moderuar dhe gjatë vakteve.
Mikrobioma dhe moderimi
Profesori Tim Spector, epidemiolog në King’s College London, tha se konsumuesit e verës së kuqe kishin një mikrobiom më të shëndetshëm dhe më të larmishëm sesa ata që nuk pinin. Ai shton se, në përgjithësi, konsumatorët e alkoolit rezultonin të kishin mikrobiom më të dobët sesa personat që nuk konsumojnë fare. Spector thekson se mikrobiomi i zorrëve formohet nga faktorët e jashtëm dhe ushqimorë, dhe se vera e kuqe në sasira të vogla dhe të moderuara mund të ndikojë pozitivisht në sistemin tretës.
Ai paralajmëron se moderimi është thelbësor: përfitimet zhduken kur konsumohen më shumë se tre gota verë të kuqe në ditë. Rekomandimi i ekspertëve është një gotë verë me vakt disa herë në javë, në sasi të vogla — si në gotat tradicionale franceze, ku nga një shishe do të dilnin rreth gjashtë gota.
/Telegrafi/