Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) njofton se gjatë aktiviteteve të zhvilluara sot në regjionin e Pejës dhe të Prizrenit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, të cilat mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit, gërmimet janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte (DHKL) dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Aktivitetet ishin pjesë e punës së planifikuar dhe u zhvilluan në dy lokacione në terren, të iniciuara nga Sektori për Persona të Zhdukur i DHKL-së në bashkëpunim me familjarët e personave të zhdukur dhe qytetarët.
Në të dy lokacionet janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që potencialisht mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit dhe personave që ende figurojnë në listën e të zhdukurve.
Komisioni bën të ditur se, pas konfirmimit dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së, familjarët do të njoftohen zyrtarisht në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.