Aktori i njohur i Hollivudit, Eddie Murphy, ka treguar për cilat projekte pendohet më shumë që i refuzoi gjatë karrierës së tij.
Gjatë promovimit të dokumentarit të tij në Netflix, “Being Eddie”, Murphy në një intervistë me AP veçoi tre filma që, sipas tij, mund të kishin ndryshuar rrjedhën e karrierës së tij: Ghostbusters, Rush Hour dhe Who Framed Roger Rabbit. “Këto janë tre filmat e mëdhenj për të cilët pendohem që nuk i kam bërë”, tha ai.
Murphy shpjegoi se i vinte keq që i humbi këto projekte, pasi më vonë u shndërruan në suksese të mëdha, por shtoi se nuk ndiente një keqardhje të thellë për mundësitë e humbura.
Dokumentari “Being Eddie”, i cili u shfaq në Netflix më 12 nëntor, përmban edhe zbulime të tjera nga karriera e tij. Ai rrëfeu gjithashtu ndjesinë e tradhtisë që përjetoi nga ekipi i Saturday Night Live, ku nisi karrierën e tij, duke thënë se u ndje i lënduar dhe e përshkroi situatën si një goditje nga vendi ku kishte nisur.
Murphy ishte pjesë e kastit të SNL nga viti 1980 deri në 1984. Dokumentari ofron një pamje të rrallë të ngritjeve dhe rënieve gjatë rrugës së tij artistike.
/Telegrafi/