Valon Murtezaj, profesor dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar ashpër menaxhimin e brendshëm të partisë, duke vënë në dukje se LDK-ja prej 18 muajsh nuk ka thirrur asnjë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lartë vendimmarrës mes dy kuvendeve. Ai po ashtu deklaroi se nga 28 maji 2024 e deri sot partia nuk ka zhvilluar asnjë takim ku duhej të diskutoheshin çështje politike dhe funksionimi demokratik i partisë.
Murtezaj tha se kjo është “mundësia e fundit” për anëtarët e Këshillit që të kryejnë përgjegjësitë statutare dhe të përcaktojnë qëndrimet politike të LDK-së. Ai ngriti pyetje të drejtpërdrejta për menaxhmentin aktual të partisë, duke kërkuar shpjegime pse po anashkalohet Statuti dhe pse shmanget mbledhja e forumit kryesor vendimmarrës.
Ai theksoi se vetëm Këshilli i Përgjithshëm ka autoritetin për të përcaktuar qëndrimet politike të LDK-së dhe për të marrë vendime për çështje madhore, si për vetë partinë, ashtu edhe për institucionet e Republikës së Kosovës.
Murtezaj lidh zhvillimet brenda LDK-së me situatën politike në vend, duke thënë se Kosova po kalon krizën më serioze institucionale që nga shpallja e pavarësisë. Sipas tij, vendi prej një viti nuk ka qeveri efektive e as Kuvend funksional, duke i vënë përgjegjësinë te mungesa e lidershipit dhe rritja e egoizmit politik.
Në deklaratën e tij ai kujtoi vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova dhe të themeluesve të LDK-së, duke përshkruar partinë si një forcë të ngritur mbi vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë. Murtezaj tha se vendimmarrja duhet të zhvillohet brenda forumeve statutare dhe se angazhimi politik duhet të jetë altruist dhe në shërbim të qytetarëve.
Ai paralajmëroi se kufiri midis vendimmarrjes demokratike dhe asaj autokratike është zhvendosur në dëm të vlerave të LDK-së, dhe bëri thirrje që partia të mbetet e vërtetë, intelektuale dhe e patjetërsuar. Në përfundim të reagimit të tij ai u shpreh: ‘Zoti e bekoftë lirinë dhe demokracinë në Kosovën europiane. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.’