Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Pirinski, njoftoi gjatë promovimit të Qendrës Burimore për Mbështetje dhe Zhvillim të Komunave se në fillim të vitit 2026 komunave do t’u dorëzohen baza të përditësuara me të dhëna për detyrimet tatimore të qytetarëve dhe bizneseve. Ai theksoi se pushteti lokal duhet të forcojë kapacitetet për grumbullimin e të ardhurave vetanake.
Pirinski vuri në dukje dallimet midis komunave: disa kryetarë arrijnë të realizojnë deri në 100% të të ardhurave nga burimet e tyre, ndërsa ka edhe komuna që “vite të tëra nuk kanë lëshuar asnjë vendim tatimor”, por njëkohësisht kërkojnë ndihmë financiare nga qeveria qendrore.
“Me fillimin e vitit 2026 do t’u dorëzojmë komunave baza të përditësuara të të dhënave për tatimpaguesit, që të mund t’i rrisin të ardhurat e tyre. Do t’u japim dorë sërish, do t’i ndihmojmë të azhurnojnë të dhënat. Por ata që nuk do të veprojnë, më pas do të kenë kufizime në mbështetjen që mund ta marrin nga buxheti qendror. Nuk mund të kërkojnë para nga ‘vëllai i madh’ nëse vetë nuk i mbledhin të ardhurat që u takojnë”, deklaroi ai për media.
Ministri shtoi se llogaridhënia për të ardhurat e parealizuara nuk është vetëm çështje e qeverisë, por edhe e qytetarëve dhe institucioneve mbikëqyrëse, si Policia Financiare.
Sipas analizës së organizatës “Finance Think” për realizimin e buxheteve komunale në vitin 2024, realizimi mesatar i të ardhurave ishte 87.5%, ndërsa i shpenzimeve 86.2%. Megjithatë, disa komuna kanë realizim shumë të ulët të të ardhurave vetanake, veçanërisht nga tatimi mbi pronën.