Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një kompani private e kontestuar dhe e mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli që shpërndante ushqim në Gaza, njoftoi mbylljen e përhershme të operacioneve të tij në territorin e shkatërruar. Organizata deklaroi se po mbyllej pasi ‘e kishte përfunduar me sukses misionin e tij emergjent’, raporton The Guardian, përcjell Telegrafi.
GHF kishte katër vende shpërndarjeje që u bënë vatra kaosi dhe dhune vdekjeprurëse midis majit dhe tetorit. Organizatat ndërkombëtare të ndihmës refuzuan të punonin me të; kompania u krijua ndërsa uria po përhapte pas bllokadës totale të furnizimeve të vendosur nga Izraeli në mars.
Zyrtarë izraelitë dhe amerikanë e paraqitën GHF-në si një alternativë ndaj Kombeve të Bashkuara, të cilat disa shtete i akuzuan për dështim në shpërndarjen efikase të ndihmës dhe i kritikuan për plaçkitje në territor. Izraeli akuzoi gjithashtu Hamasin për devijim sistematik të ndihmave për të financuar operacionet e saj politike, sociale dhe ushtarake.
Gjatë konfliktit, OKB-ja udhëhoqi një përpjekje të madhe humanitare, duke shpërndarë ushqim, ilaçe, karburant dhe furnizime të tjera në më shumë se 400 qendra rreth Gazës, pavarësisht pengesave logjistike dhe kufizimeve të rrepta të vendosura nga Izraeli.
Në gusht, një panel ekspertësh i mandatuar nga OKB-ja pretendoi se ndihma e GHF-së ‘u shfrytëzua për axhenda të fshehta ushtarake dhe gjeopolitike’.
Sipas dëshmive të intervistuar nga The Guardian, të dhënave mjekësore dhe videove të postuara në rrjetet sociale, më shumë se 1,000 palestinezë që kërkonin ndihmë në vendet e GHF-së u vranë ose u plagosën nga forcat izraelite që ruanin qasjet në pikat e shpërndarjes në Gaza qendrore dhe jugore.
GHF mohoi dhunën brenda pikave të shpërndarjes, por pranoi rreziqet e mundshme me të cilat përballeshin njerëzit kur udhëtonin drejt tyre në këmbë. /Telegrafi/