Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, të thirrur për 27 nëntor, duke e cilësuar atë të paligjshme dhe në kundërshtim me standardet demokratike.
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar publikisht, duke vlerësuar se kjo seancë është ‘po aq — e në disa aspekte edhe më — e paligjshme’ sesa seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, ku ishte paraparë votimi i buxheteve dhe disa pikave të rëndësishme.
Cakolli paralajmëroi se institucionet të cilave u ka përfunduar legjitimiteti nuk kanë të drejtë të marrin vendime që krijojnë detyrime apo pasoja për institucionet e ardhshme. ‘Institucionet pa legjitimitet të plotë dhe pa e ndjekur rendin logjik të gjërave nuk mund të marrin vendime që prodhojnë pasoja, detyrime financiare apo politike për institucionet pasardhëse’, shkroi ai.
Ai shtoi se është e pakuptimtë që një legjislaturë që ka përfunduar mandatin e saj të marrë vendime që do të prekin një legjislaturë tjetër, e cila pritet të marrë detyrën brenda pak ditësh. ‘Nuk ka asnjë sens logjik, e lëre më ligjor, që një legjislaturë që e ka mbyllur mandatin e saj të marrë vendime për një legjislaturë që e merr mandatin pas disa ditësh. Rolet dhe qëndrimet politike mund të ndryshojnë, por parimet jo’, theksoi Cakolli.