Lëvizja Vetëvendosje shpesh lidh partitë e tjera me Listën Serbe në debatet publike. Ky është një ndër mjetet që partia përdor në komunikim politik.
Së fundi, deputeti Agim Bahtiri e pyeti Përparim Grudën nga PDK-ja nëse e kanë konsultuar Listën Serbe për praninë e tij në seancë. Në një tjetër rast, deputetja Albulena Haxhiu i përfshiu Sala Jasharin dhe Jakup Nurën në të njëjtin tabor me Listën Serbe, duke nënkuptuar se ata janë në harmonizim për të votuar kundër qeverisë së Vetëvendosjes.
Kthime të tilla nuk mbeten pa reagime. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sulmoi së fundi anëtaren e kryesisë së LVV-së, Dejona Mihali, me pyetjen: «Dejona Mihali, a po i tregon shqiptarëve kush je ti dhe çka bën në Kosovë?!»
Studiuesit e medias dhe komunikimit vlerësojnë se gjuha polarizuese, karakteristike më parë për Vetëvendosjen, është përvetësuar edhe nga partitë e tjera. Profesor Alban Zeneli thotë se në epokën e post-t’vërtetës dallohen dy elemente: gjuha e thjeshtëzuar dhe ngarkesa emocionale. «Këdo që e godasin, përmes fjalimit goditës tentojnë t’i japin edhe një mesazh emocional që nxit ndjenjat e audiencës dhe e bën të thjeshtë etiketimin», shpjegon ai.
Profesor Abit Hoxha vlerëson se njerëzit akuzohen shpesh për bashkëpunim me Serbinë, Greqinë apo aktorë të tjerë me qëllim denigrimin personal gjatë luftës elektorale. Ai paralajmëron se kjo rrjedhë e akuzave bën që çështjet reale, si shëndetësia, arsimi, kanalizimi, zhvillimi dhe investimet kapitale, të mos diskutohen. Sipas Hoxhës, kjo retorikë është në kufijtë e gjuhës së urrejtjes, që konsiderohet vepër penale, dhe do të vazhdojë gjatë fushatës 12-ditore për zgjedhjet e 28 dhjetorit.